HYRJE

Sasia e energjisë elektrike që përdoret nga konsumatorët shtëpiak është duke u rritur globalisht, përkundër faktit që aktiviteti njerëzor që ndërlidhet me konsumin e energjisë elektrike është përgjegjës për një pjesë të madhe të gjurmës së karbonit në tokë. Ky trend i rritjes së vazhdueshme të shpenzimeve të energjisë elektrike po e vështirëson më tutje përpjekjen kolektive për zvogëlimin e rreziqeve nga ngrohja globale.

Në të njëjtën kohë energjia elektrike është shndërruar në mjet të domosdoshëm për jetë, që paraqet një barrë të madhe ekonomike për shumicën e njerëzve. Po e shohim se si rritja e cmimit të energjsë elektrike është duke e rënduar edhe më tepër gjendjen ekonomike dhe është bërë e pabërballueshme për pjesën me të madhe të banorëve të Kosovës.

Ndërkohë trendi i rritjes së shpenzimit të energjisë elektrike prej  konsumatorëve shtëpiak është i lidhur ngusht me konsumin e papërgjegjshëm të njerëzve më të privilegjuar, të cilët janë përgjegjës për pjesën më të madhe të gjurmës së karbonit që vjen nga shpenzimi i energjisë elektrike në tokë.  

Ne mendojmë që ulja e sasisë së energjisë elektrike që shpenzohet është zgjidhja më e qëndrueshme për të gjithë sektorët e ndërveprimit njerëzorë dhe që për ta bërë këtë nevojitet të punohet për ndryshimin e sjelljes së konsumatorëve të energjisë elektrike, më specifikisht projekti jonë fokusohet te konsumatorët e sketorit të banimit.

QËLLIMI
I ENERGOMETER

Energometer është nismë që ka për qëllim të kontribuoj në përpjekjet për ta ulur sasinë e konsumit të energjisë elektrike nga sektori i banimit. Përmes eksperimentit shoqëror, punës hulumtuese dhe komunikimit kreativ të të dhënave për qytetarët, ne synojmë të gjejmë zgjidhjet më efikase përmes të cilave duam të ndikojmë në ndërrimin e sjelljes së konsumatorëve shtëpiak me përdorimin e energjisë elektrike.

Përmes Energometer ne duam të nisim një bisedë me qytetarët e Kosovës rreth mënyrës sesi ata e shpenzojnë energjinë elektrike në banesa. Ne duam t’ua tërheqim vëmendjen për rëndësinë e të dhënave të konsumit të energjisë elektrike, si dhe në veçanti mbi rëndësinë e matjes dhe monitorimit të vazhdueshëm të aktivitetit të tyre ditor si mënyra më e mirë për t’ua mundësuar optimizimin e shpenzimit të energjisë elektrike. 

ÇKA ËSHTË
ENERGOMETER?

Energometer është platformë digjitale ku do të prezantohen të dhëna dhe informata që kanë për qëllim t’i ndihmojnë dhe këshillojnë qytetarët e Kosovës mbi mënyrat më efikase për optimizimin e shpenzimeve të energjisë elektrike brenda njësive banesore.

Energometer është menduar t’iu shërbej të gjithëve atyre që e kanë të vështirë ta kuptojnë si përkthehet përdorimi i pajisjeve elektrike në shtëpi në totalin e energjisë së shpenzuar si dhe implikimet që kjo i ka në faturën e tyre mujore. 

Për të ju mundësuar që të bëni një vlerësim mirë të informuar mbi shpenzimet e energjisë elektrike në hapësirën ku ju banoni, në këtë faqe do të mund të ndiqni të dhënat e nxjerra nga monitorimi i përditshëm përgjatë një muaji të aktivitetit me energjinë elektrike të banorëve në tri banesat pjesëmarrëse ne eksperimentin e Energometer.

Të dhënat nga monitorimi i shpenzimit të energjisë elektrike do të ilustrojnë të kuantifikuar sasinë e energjië elektrike dhe çmimin e saj për secilën pajisje elektrike që ata e përdorin në shtëpi të përkthyer në vlerën monetare sipas sistemit tarifor të Kosovës.

Vizuelizimi i të dhënave të ndara për secilën pajisje veç e veç ka qëllim t’ua mundësoj qytetarëve t’a kuptojnë se si llojet e ndryshme të aktiviteteve ditore me pajisjet elektrike ndikojnë në uljen apo rritjen e totalit të shpenzimit të energjisë elektrike. Për më tepër këto të dhëna do të ilustrojnë cilat pajisje shpenzojnë më shumë si dhe si përkthehet në faturën mujore përdorimi i tyre me tarifën e natës dhe atë të ditës.

Një pjesë e platformës ENERGOMETER i dedikohet prezantimit të këshillave dhe sygjerimeve mbi adaptimin e teknikave efikase  për optimizimin e shpenzimit të energjië elektrike në njësitë e banimit.

QASJA
E ENERGOMETER

Rritja e kërkesës për energji elektrike nga sektori i banimit është e lidhur ngusht me rritjen e përdorimit të pajisjeve që shpenzojnë energji elektrike. Pavarësisht nëse bëhet fjala për aktivitete të zakonshme si përgatitja e kafes apo tharja e flokëve, sjelljet dhe zgjedhjet e secilit individ me pajisjet elektrike, përmblidhen në sasinë e karbonit që emitohet nga sektori i banimit.

Edhe pse këto pajisje elektrike janë pjesë e përditshmërisë së secilit, pjesa më e madhe e njerëzve e kanë të vështirë ta kuptojnë çfarë ndikimi ka përdorimi i tyre në totalin e energjisë elektrike të shpenzuar përgjatë muajit si dhe çmimin e saj. Kjo platformë u'a mundëson atyre që t'a bazojnë sjelljen e tyre me energjie elektrike në të dhëna.

Energometer është zhvilluar mbi idenë që aplikimi i një metri apo matja dhe monitorimi i vazhdueshëm është i domosdoshëm për ta mundësuar optimizimin e përdorimit të energjisë eletkrike.  Një gjë të tillë na e mundëson përdorimi i pajisjeve të mençura përmes të cilave mund të nxjerren të dhëna të kuantifikuara mbi sjelljen e njerëzve me pajisjet elektrike. 

Për këto arsye platforma ENERGOMETER është menduar të shërbej si mjet që do t’ua mundësoj qytetarëve t’i kuptojnë implikimet e sjelljes së tyre me energjinë elektrike, t’i ndihmoj ata të bëjnë analiza të përsonalizuara duke u bazuar në të dhëna, si dhe t’iu ofroj këshilla dhe informata mbi mënyrat më efikase për optimizimin e shpenzimit të energjisë elektrike. 

PËR NE

Space Syntaks është institut i pavarur cili angazhohet për prodhimin dhe përdorimin e të dhënave hapësinore me qëllim gjetjen e zgjidhjeve dhe praktikave të qëndrueshme për rritjen e cilësisë së jetës së banorëve të qytetit.

Aktiviteti ynë kërkimor është duke u zhvilluar rreth avancimit të teknologjive digjitale për mbledhjen dhe analizën e të dhënave hapësinore, aplikimin e inteligjencës hapësinore si dhe implementimin e intervenimeve të vogla hapësinore.

Me punën tonë ne duam të kontribojmë në përpjekjet për të krijuar praktika dhe qasje të reja për zhvillimet e qyteteve të Kosovës, të udhëhequr nga parimi se e drejta për të ndryshuar dhe formësuar qytetet tona është e drejtë e secilit.